Një kamion që po transportonte blloka ndërtimorë ka shkaktuar rrezik për pjesëmarrësit në komunikacion, pasi disa blloka kanë rënë në rrugën Zhur–Dragash, në zonën e njohur si “Laku i Keq”.
Rasti ka ndodhur më 19 gusht, rreth orës 11:00, kur Policia e Kosovës është njoftuar se nga një mjet transportues kishin rënë blloqe ndërtimore në rrugë, duke penguar dhe rrezikuar qarkullimin e automjeteve.
Patrulla e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor në Prizren ka intervenuar në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar gjendjen. Sipas Policisë, drejtuesi i kamionit kishte vazhduar lëvizjen pa u ndalur pas rënies së blloqeve.
Në bashkëpunim me patrullën e Stacionit Policor në Dragash, zyrtarët policorë kanë arritur ta ndalojnë kamionin me tabela vendore, i cili ishte në pronësi të një kompanie nga Prizreni.
Për këtë rast, drejtuesit të mjetit dhe personit juridik, përkatësisht kompanisë, u janë shqiptuar masa për kundërvajtje në bazë të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor 08/L-186.
Ndërkohë, kompania e autorizuar ka ndërhyrë për largimin e blloqeve nga rruga, duke mundësuar normalizimin e qarkullimit në këtë pjesë të rrugës.






