Ish-ambasadori amerikan William Walker ka bërë të ditur se nuk ka marrë asnjë përgjigje nga liderët e katër partive kryesore në Kosovë, të cilëve u kishte dërguar letër lidhur me zgjedhjen e presidentit.
Walker u kishte shkruar Albin Kurtit, Bedri Hamzës, Lumir Abdixhikut dhe Ardian Gjinit, duke propozuar Faton Bislimin si kandidat për president të Kosovës. Sipas tij, letra ishte një përpjekje për t’i nxitur partitë të bashkohen rreth një kandidati që mund ta përfaqësojë vendin në tërësi.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Walker tha se deri tani nuk ka marrë reagim nga asnjëri prej katër liderëve. Megjithatë, ai tha se nga ajo që ka dëgjuar, propozimi për Bislimin është pritur mirë dhe ka marrë mbështetje.
Walker ka paralajmëruar gjithashtu se dështimi për të gjetur një marrëveshje për presidentin mund ta thellojë përçarjen politike dhe ka kundërshtuar mundësinë e zgjedhjeve të reja, duke thënë se ato nuk do të ishin zgjidhja e problemit.







