Home > Uncategorized > Opozita kërkon seancë të jashtëzakonshme në Ferizaj pas raportit të ZKA-së për ndërtimet e larta

Opozita kërkon seancë të jashtëzakonshme në Ferizaj pas raportit të ZKA-së për ndërtimet e larta

///
Comments are Off

Subjektet opozitare në Komunën e Ferizajt kanë kërkuar thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, pas publikimit të raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për procesin e ndërtimeve të larta.

Raporti i ZKA-së ka evidentuar një sërë mangësish në mënyrën se si Komuna e Ferizajt ka menaxhuar procesin e dhënies së lejeve ndërtimore gjatë periudhës së audituar. Sipas gjetjeve, komuna nuk ka arritur të sigurojë një proces efikas dhe efektiv.

Ndër problemet e evidentuara është mungesa e Hartës Zonale, zbatimi jo i njëtrajtshëm i planeve rregulluese, mungesa e procedurave të standardizuara dhe kontrollet e pamjaftueshme.

ZKA ka konstatuar se në rreth 80 për qind të rasteve të audituara, aplikacionet ose propozimet për kushte ndërtimore kanë qenë të paplota. Po ashtu, janë evidentuar mospërputhje në parametrat urbanistikë dhe dokumentacionin teknik.

Probleme janë evidentuar edhe gjatë inspektimit të objekteve. Sipas raportit, asnjë prej objekteve të audituara nuk ishte inspektuar në të gjitha fazat e ndërtimit, ndërsa rreth gjysma e tyre ishin kontrolluar vetëm një herë. Dy objekte rezultuan se ishin ndërtuar në kundërshtim me lejet e lëshuara.

Raporti ka gjetur gjithashtu se të paktën 20 objekte të ndërtuara gjatë pesë viteve të fundit ishin të banuara pa certifikatë përdorimi. Mangësi janë evidentuar edhe në procedurat dhe dokumentacionin për lëshimin e këtyre certifikatave.

Opozita kërkon që këto gjetje të diskutohen në Kuvendin Komunal dhe që institucionet përgjegjëse të japin sqarime lidhur me mënyrën e trajtimit të lejeve, inspektimeve dhe certifikatave të përdorimit.

ZKA ka dhënë gjithsej tetë rekomandime për Komunën e Ferizajt dhe një rekomandim për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me qëllim përmirësimin e procesit dhe rritjen e transparencës.

Raporti ka vënë në pah edhe mungesën e transparencës në publikimin e informatave për lejet ndërtimore, certifikatat e përdorimit dhe trajtimin e ankesave, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si është mbrojtur interesi publik gjatë zhvillimit urban të Ferizajt.

Verified by MonsterInsights