Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi ndaj Boban Toniqit, ish-gardian i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë.

Në seancën e radhës ka dëshmuar Demir Limaj, i cili në cilësinë e të dëmtuarit ka rrëfyer për dhunën që, sipas tij, ai dhe të burgosur të tjerë shqiptarë e përjetuan pas transferimit nga Burgu i Dubravës në Burgun e Prishtinës, paralelja në Lipjan.

Limaj ka treguar se pas zbritjes nga autobusët, ku ndodheshin qindra të burgosur, ata u përballën me një kordon të përbërë nga gardianë dhe policë. Sipas dëshmisë së tij, në atë moment aty ndodheshin edhe drejtues të burgut, përfshirë të akuzuarin Boban Toniq.

Dëshmitari ka deklaruar se e njihte më herët personelin e Burgut të Prishtinës, pasi kishte qëndruar për një kohë të gjatë në atë institucion. Ai tha se në mesin e gardianëve që ndodheshin aty ishte edhe Toniqi.

Sipas rrëfimit të Limajt, të burgosurit u detyruan të kalonin përmes rreshtit të gardianëve, ku pretendohet se u sulmuan fizikisht.

Ai ka përshkruar përdorimin e shufrave të gomës, shkopinjve të drurit dhe shqelmave, duke pretenduar se dhuna ishte aq e rëndë sa disa të burgosur humbnin ndjenjat. Pas rrahjes, sipas tij, ata tërhiqeshin zvarrë dhe dërgoheshin nëpër dhoma.

Limaj ka pretenduar gjithashtu se dhuna nuk ishte një veprim i izoluar, por se ishte ushtruar nga pjesa më e madhe e personelit të burgut.

“Prej të gjithë atyre gardianëve, ndoshta mund të kenë qenë vetëm dy apo tre persona që nuk kanë ushtruar dhunë”, ka deklaruar ai gjatë dëshmisë para trupit gjykues.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Toniqi, i cili gjatë kohës së luftës kishte shërbyer si gardian në Burgun e Prishtinës dhe në paralelen e tij në Lipjan, dyshohet se në bashkëkryerje me persona të tjerë ka marrë pjesë në keqtrajtimin sistematik të të burgosurve shqiptarë.

Prokuroria pretendon se të burgosurit janë torturuar në mënyrë çnjerëzore përmes përdorimit të shkopinjve të gomës, shufrave metalike, grushteve dhe shqelmave. Në aktakuzë përmenden gjithashtu pretendime se të burgosurit janë lënë pa ushqim për ditë të tëra dhe janë kërcënuar me jetë, duke pësuar lëndime fizike dhe pasoja psikike.

Boban Toniqi i ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar para gjykatës se nuk e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Procesi gjyqësor ndaj tij po vazhdon në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Toniqi prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me një vendim të formës së prerë.