Home > Uncategorized > Zv/kryeministri belg: Nderimet për Mlladiqin e largojnë Serbinë nga vlerat e BE-së

Zv/kryeministri belg: Nderimet për Mlladiqin e largojnë Serbinë nga vlerat e BE-së

///
Comments are Off

Zëvendëskryeministri i Belgjikës, Sandro Goci, ka reaguar ndaj nderimeve shtetërore që iu bënë ish-komandantit serb Ratko Mlladiq, duke thënë se një veprim i tillë e largon Serbinë edhe më shumë nga vlerat e Bashkimit Evropian.

Goci ka kritikuar autoritetet serbe nën udhëheqjen e presidentit Aleksandar Vuçiq, duke vlerësuar se nderimet për Mlladiqin nuk përbëjnë thjesht përkujtim, por glorifikim të një personi të dënuar për gjenocid dhe krime lufte.

Sipas tij, Serbia po promovon revizionizmin historik në vend të përgjegjësisë dhe pajtimit, ndërsa glorifikimi i personave përgjegjës për krime të rënda po shndërrohet në një politikë zyrtare shtetërore.

Ratko Mlladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republika Srpskas, është dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë.

Goci ka theksuar se e ardhmja evropiane e Serbisë nuk mund të ndërtohet mbi rehabilitimin e figurave të së kaluarës të dënuara për krime, por mbi të vërtetën, drejtësinë, vlerat demokratike dhe respektin për viktimat.

Reagimet ndaj nderimeve për Mlladiqin janë shtuar ditët e fundit në qarqet evropiane, ndërsa zyrtarë dhe politikanë kanë kërkuar që Serbia të distancohet qartë nga glorifikimi i kriminelëve të luftës.

Kjo çështje pritet të ndikojë edhe në diskutimet për rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në një kohë kur Beogradi vazhdon procesin e integrimit evropian.

Verified by MonsterInsights