Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim shefin e ri të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Përfaqësuesin Special të BE-së për Kosovën, Dirk Schuebel.
Takimi u zhvillua në kuadër të nisjes së mandatit të Schuebel në Kosovë, ndërsa në fokus të diskutimeve ishin zhvillimet aktuale në vend, perspektiva evropiane e Kosovës, procesi i reformave dhe bashkëpunimi i mëtejshëm me Bashkimin Evropian.
Haxhiu e ka uruar Schuebel për marrjen e detyrës dhe ka theksuar se orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet i palëkundur. Sipas saj, institucionet e vendit janë të përkushtuara ndaj forcimit të sundimit të ligjit, zbatimit të reformave dhe avancimit të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Schuebel e ka nisur zyrtarisht mandatin në Kosovë më 2 shtator. Në deklarimet e tij pas marrjes së detyrës, ai tha se synon të bashkëpunojë me institucionet, partitë politike, shoqërinë civile, mediat dhe komunitetet në vend, me qëllim të mbështetjes së Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.
Diplomati gjerman ka vlerësuar gjithashtu nevojën që integrimi evropian të trajtohet si prioritet përtej ndarjeve politike, ndërsa ka shprehur gatishmërinë e BE-së për të vazhduar mbështetjen ndaj reformave dhe proceseve që lidhen me perspektivën evropiane të Kosovës.
Takimi mes Haxhiut dhe Schuebel vjen në një periudhë kur Kosova po përballet me sfida politike dhe institucionale, ndërsa çështja e avancimit të saj drejt Bashkimit Evropian mbetet një prej objektivave kryesore strategjike të vendit.







