Home > Uncategorized > Gjykata e Tiranës liron 14 protestuesit e arrestuar më 1 shtator, arrestimi u shpall i paligjshëm

Gjykata e Tiranës liron 14 protestuesit e arrestuar më 1 shtator, arrestimi u shpall i paligjshëm

///
Comments are Off

Gjykata e Tiranës ka vendosur lirimin e 14 protestuesve të arrestuar gjatë protestës së zhvilluar më 1 shtator para Kryeministrisë në Tiranë.

Protestuesit u vunë në pranga pas përplasjeve me Policinë, pasi kishin rrethuar godinën e Kryeministrisë, ku ndodhej kryeministri Edi Rama. Ata akuzoheshin për disa vepra penale, përfshirë organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime të paligjshme, kundërshtimin e punonjësit të policisë së rendit publik, prishjen e qetësisë publike dhe pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit.

Gjatë seancës, mbrojtja kërkoi që arrestimet të konsideroheshin të paligjshme dhe që protestuesit të liroheshin pa asnjë masë sigurie. Sipas raportimeve, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën dhe vendosi lirimin e të 14 personave.

Të arrestuarit janë Dritan Goxhaj, Junik Matoshi, Edison Lika, Erlind Almeta, Sokol Bushi, Lulzim Gjini, Valtion Shameti, Florian Manarkolli, Desiderjo Alimucaj, Bora Mitrovica, Arvina Lleshi, Ylli Brahaj, Arben Kola dhe Aumiraldi Dalliu.

Arrestimet ndodhën gjatë protestës së 94-t para Kryeministrisë. Tubimi u tensionua pasi protestuesit bllokuan hyrje-daljet e godinës dhe pati përplasje me forcat e rendit. Policia kishte raportuar gjithashtu se disa protestues tentuan të çanin kordonin policor, ndërsa pas ndërhyrjes së efektivëve 14 persona u arrestuan dhe tre të tjerë u proceduan në gjendje të lirë.

Vendimi i gjykatës vjen pas disa ditësh nga arrestimet dhe rikthen në vëmendje mënyrën e ndërhyrjes së Policisë gjatë protestave, ndërsa avokatja Eda Grimci ka deklaruar se raste të tilla të arrestimeve të paligjshme do të ndiqen edhe më tej në rrugë ligjore.

Verified by MonsterInsights