Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e ka cilësuar mosvotimin e Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit si tradhti të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj votuesve të saj.
Në Edicionin Special të Klan Kosovës, Deliu-Kodra kritikoi qëndrimin e VV-së në seancë, duke thënë se veprimet e këtij subjekti nuk përputhen me zotimet për funksionalizimin e institucioneve.
“Me mosvotimin e sotëm në Kuvend, mendoj që janë tradhtuar qindra mijëra votues të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët në zgjedhjet e fundit kanë votuar për këtë subjekt politik”, tha ajo.
Duke përmendur shifrën prej 53 mandatesh, deputetja e PDK-së vuri në pikëpyetje gatishmërinë e VV-së për t’u dhënë funksionalitet institucioneve. Ajo e krahasoi seancën me një cirk, ku, sipas saj, “ndryshe thuhet, ndryshe veprohet”.
Deliu-Kodra e përshkroi seancën si për keqardhje dhe tha se zhvillimet e saj pasqyrojnë atë që përfaqëson aktualisht Vetëvendosje. Klan Kosova.







