Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), por ka bërë të qartë se nuk do të largohet nga ky subjekt politik.
Vendimin e ka bërë publik të mërkurën, më 21 tetor, në një konferencë për media, pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ku paraprakisht kishte njoftuar drejtuesit e partisë për largimin e tij nga posti.
Hamza ka theksuar se dorëheqja nuk nënkupton shkëputjen e tij nga PDK-ja dhe se do të vazhdojë të mbetet pjesë e saj.
“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka shtuar se do të mbetet besnik ndaj vlerave politike të PDK-së dhe se, për sa kohë të jetë gjallë, do të vazhdojë të jetë anëtar dhe votues i kësaj partie.
“Unë nuk e dua PDK-në vetëm për ta udhëhequr. E kam dashur dhe do ta dua edhe pa e udhëhequr”, është shprehur ai.
Sipas Hamzës, vendimi për dorëheqje synon t’i hapë rrugë një procesi të ri zgjedhor brenda PDK-së, në të cilin anëtarësia do të ketë mundësi të vendosë për udhëheqjen e ardhshme.
Ai ka vlerësuar se partia duhet të krijojë më shumë hapësirë për gjeneratat e reja dhe për marrjen e përgjegjësive nga anëtarët e saj.
Duke folur për angazhimin e tij politik, Hamza ka kujtuar përgjegjësitë që ka marrë që nga viti 2020, pas dërgimit në Hagë të ish-udhëheqësve të PDK-së.
Ai ka përmendur kandidimin për kryetar të Mitrovicës, tri kandidaturat për kryeministër dhe drejtimin e partisë, duke thënë se këto përgjegjësi i ka marrë për shkak të përkushtimit ndaj PDK-së dhe Kosovës, e jo për ambicie personale.
Gjatë konferencës, Hamza është ndalur edhe te proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, duke shprehur pakënaqësinë e tij me vendimmarrjen e Dhomave të Specializuara.
Ai ka deklaruar se angazhimi për drejtësi dhe për kthimin e ish-krerëve të UÇK-së pranë familjeve të tyre do të vazhdojë.
Në fund, Hamza ka falënderuar anëtarësinë, strukturat dhe mbështetësit e PDK-së për besimin dhe përkrahjen, duke theksuar se interesat e partisë dhe të vendit duhet të qëndrojnë mbi interesat personale.
Hamza ishte zgjedhur kryetar i PDK-së më 17 nëntor 2025, pas dorëheqjes së Memli Krasniqit. Me largimin e tij nga drejtimi, partia pritet të hyjë në një proces të ri të zgjedhjeve të brendshme për përzgjedhjen e kryetarit të ardhshëm.
Lexo edhe: Mbledhja e Kryesisë së PDK-së para konferencës së Bedri Hamzës







