Dhjetëra qytetarë janë mbledhur të martën, më 27 tetor, para Gjykatës Themelore në Pejë, për të protestuar pas vrasjes së Arlinda Zekajt dhe për të kërkuar përgjegjësi nga institucionet që kishin trajtuar më herët rastet e saj.

Protestuesit kanë mbajtur në duar fotografitë e 49-vjeçares, duke kërkuar drejtësi dhe zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan deri te vrasja e saj.

Tubimi vjen dy ditë pas ngjarjes tragjike në fshatin Vitomiricë të Pejës, ku Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e 25 tetorit, pavarësisht se kishte kërkuar më herët mbrojtje nga institucionet përgjegjëse.

Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, viktima kishte një urdhër mbrojtjeje gjashtëmujor, të lëshuar më 16 tetor, ndërsa më 22 tetor kishte kërkuar ndërhyrje institucionale për zbatimin e vendimit gjyqësor.

Vetëm pak orë para vrasjes, ajo kishte raportuar sërish dhunë në familje. Pas intervistimit në stacionin policor, Arlinda ishte shoqëruar për në shtëpinë e saj në Vitomiricë, ku më vonë u gjet pa shenja jete.

Për vrasjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, të cilin Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Rasti ka nxitur reagime të shumta dhe kërkesa për hetimin e veprimeve të Policisë, Prokurorisë, Gjykatës dhe institucioneve të tjera që kishin qenë të përfshira në trajtimin e denoncimeve të viktimës.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Pejë ka iniciuar hetime për të përcaktuar nëse veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve përgjegjës përbëjnë shkelje penale.

Protesta para Gjykatës në Pejë është një nga reagimet publike pas vrasjes së Arlindës, ndërsa qytetarët kërkojnë që përgjegjësia eventuale institucionale të zbardhet dhe të ndërmerren masa për mbrojtjen e grave që përballen me dhunë.