Ka nisur takimi mes ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe përfaqësuesve të partive politike për të diskutuar caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.
Në këtë takim po marrin pjesë përfaqësues nga partitë kryesore parlamentare dhe subjektet e komuniteteve pakicë. Nga Lëvizja Vetëvendosje është i pranishëm Alim Ramaj, nga PDK-ja kryetari Bedri Hamza, nga LDK-ja Jehona Lushaku Sadriu, ndërsa nga AAK-ja nënkryetari Ardian Gjini.
Ky konsultim konsiderohet hap kyç për përcaktimin e procesit zgjedhor, pas zhvillimeve të fundit politike dhe dështimit për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.
Takimi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përcaktimin e afateve zgjedhore dhe organizimin institucional të vendit në javët në vijim, ndërsa vendi po hyn në një tjetër fazë të rëndësishme politike.




