Avni Dehari, ish-kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, është bërë kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një video-adresim, Dehari ka bërë thirrje për votimin e Vetëvendosjes, duke theksuar se qeveria e kaluar, sipas tij, ka realizuar punë të rëndësishme për vendin.
“Quhem Avni Dehari, kandidat për deputet”, ka deklaruar ai, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve për VV-në.
Dehari ka vlerësuar veçanërisht politikat që lidhen me forcimin e shtetit dhe ushtrisë, duke thënë se gjatë qeverisjes së kaluar janë bërë hapa të rëndësishëm në këto fusha.
“Qeveria e kaluar ka bërë punë të mëdha për shtrirje të sovranitetit, forcimin e ushtrisë. Të forcojmë shtetin”, është shprehur Dehari.
Kandidatura e tij vjen në një periudhë kur emri i Deharit është përmendur gjerësisht edhe për shkak të rolit të tij si kryesues i seancës konstituive të Kuvendit dhe zhvillimeve të zgjatura rreth konstituimit të institucioneve.
Dehari tash synon të marrë mbështetjen e votuesve në zgjedhjet e ardhshme, duke e lidhur kandidaturën e tij me vazhdimin e politikave që, sipas tij, kanë forcuar shtetin dhe institucionet e Kosovës.






