Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka paralajmëruar qytetarët për një seri mesazhesh dhe ftesash të dyshimta që po qarkullojnë përmes aplikacioneve të komunikimit. Mesazhet premtojnë mundësi për përfitime nga investime të ndryshme dhe synojnë t’i joshin qytetarët që të klikojnë në lidhje të jashtme.

Sipas BQK-së, këto mesazhe po dërgohen nga numra ndërkombëtarë dhe në to qytetarëve u ofrohet mundësia për t’u bërë pjesë e grupeve të investimeve. Përmes lidhjeve të përfshira në mesazhe, përdoruesit mund të drejtohen në faqe ose platforma të dyshimta.

Në disa raste, aplikacioni i komunikimit mund të shfaqë edhe paralajmërim se përmbajtja e mesazhit mund të jetë keqdashëse, duke sinjalizuar rrezikun e mundshëm për përdoruesin.

BQK u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos klikojnë në lidhje të panjohura dhe të mos ndjekin udhëzimet e dërguara përmes këtyre mesazheve. Po ashtu, qytetarët këshillohen të mos japin të dhëna personale apo financiare dhe të mos kryejnë pagesa bazuar në oferta të tilla.

Institucioni ka kërkuar që qytetarët të jenë veçanërisht të kujdesshëm ndaj ofertave që premtojnë përfitime të shpejta ose mundësi të favorshme investimi përmes mesazheve të pakërkuara.

Mashtrimet e këtij lloji mund të synojnë marrjen e të dhënave personale dhe financiare të përdoruesve, ndërsa klikimi në lidhje të dyshimta mund të çojë në faqe të krijuara për mbledhjen e informacioneve sensitive.

BQK thekson rëndësinë e verifikimit të çdo oferte për investim përmes burimeve zyrtare dhe u kërkon qytetarëve të mos ndërmarrin veprime financiare vetëm mbi bazën e një SMS-je ose ftese të dyshimtë.