Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj Mahmut Hoxhajt lidhur me plagosjen e dy personave në parkingun pranë Gjykatës Themelore në Pejë, ngjarje e ndodhur në tetor të vitit 2025.
Hoxhaj dyshohet se më 17 tetor 2025 ka shtënë me armë automatike në drejtim të një veture, duke plagosur dy persona. Ngjarja ndodhi pak pasi në Gjykatën e Pejës ishte mbajtur seanca në një rast tjetër gjyqësor.
Sipas dosjes së Prokurorisë, ndaj Hoxhajt rëndojnë dyshimet për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Në vendin e ngjarjes, policia kishte sekuestruar dy armë automatike të tipit AK-47, ndërsa Hoxhaj ishte arrestuar menjëherë pas incidentit.
Gjykata Themelore në Pejë më herët i kishte caktuar atij 30 ditë paraburgim.
Sipas hetimeve, rasti dyshohet se lidhet me një konflikt të mëhershëm dhe motiv hakmarrjeje, pasi personat që u sulmuan kishin qenë të përfshirë në një proces gjyqësor që lidhej me vrasjen e vëllait të Hoxhajt.







