Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka dërguar letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke kërkuar që KFOR-i të mos lejojë hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Në letrën e tij, Vuçiq ka kërkuar që NATO të ndërhyjë për të parandaluar hapjen e urës, duke pretenduar se një veprim i tillë do të rrezikonte serbët në veri të Kosovës. Ai është thirrur edhe në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Vuçiq ka pretenduar gjithashtu se për hapjen e urës nuk është arritur ndonjë marrëveshje dhe ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që Prishtina të zbatojë marrëveshjet e dialogut të vitit 2013.

Kërkesa vjen pas njoftimit se KFOR-i ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së përhershme në urën e Ibrit, ndërsa çështja e hapjes së saj për qarkullim vazhdon të jetë temë e ndjeshme politike dhe e sigurisë.