Rusia ka nisur procedura ndaj gazetarit gjerman Michael Martens, korrespondent i Frankfurter Allgemeine Zeitung, pas një pyetjeje që ai ia drejtoi presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë një konference në Beograd më 8 gusht.
Martens e pyeti Zelenskyn se çfarë mund të bënin evropianët për ta ndihmuar Ukrainën të shkaktonte më shumë humbje në radhët e ushtrisë ruse. Ai më pas pranoi se kishte bërë gabim duke përdorur shprehjen “ne, evropianët”, duke thënë se një formulim i tillë nuk i përshtatet rolit të gazetarit.
Autoritetet ruse e kanë futur Martensin në listën e personave të kërkuar dhe kanë nisur procedurë penale nën dyshimin për nxitje të urrejtjes ose armiqësisë. Sipas raportimeve, ai nuk është shpallur ende në kërkim ndërkombëtar.
Shoqata Gjermane e Gazetarëve dhe Ministria e Jashtme gjermane kanë kritikuar veprimet e Moskës, ndërsa redaksia e FAZ-it ka thënë se do të ndërmarrë hapa ligjorë për mbrojtjen e gazetarit.







