Sokrat Vata, i dyshuari kryesor për vrasjen e turistit portugez në Ksamil, ka mbërritur në Gjykatën e Sarandës nën masa të rrepta sigurie, ku pritet të zhvillohet seanca për caktimin e masës së sigurisë.
Në momentin kur ai është futur në ambientet e gjykatës, të afërmit e tij që ndodheshin jashtë i janë drejtuar me fjalët: “Sokrat, jemi këtu o shpirt”.
Vata dyshohet se është përfshirë në konfliktin në një kompleks në Ksamil, ku 20-vjeçari portugez Luis Varela humbi jetën pasi u godit me mjet prerës.
Për rastin janë arrestuar gjithsej 11 persona. Mes tyre janë edhe dy shtetas turq, disa punonjës të kompleksit dhe efektivë të Policisë së Shtetit që punonin si pjesëtarë të sigurimit.
Gjatë seancës, gjykata pritet të shqyrtojë kërkesat e Prokurorisë për masat e sigurisë ndaj të arrestuarve dhe të vendosë për masat që do të aplikohen ndaj tyre.






