Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, për të anuluar vizitën e planifikuar në Beograd.
Vuçiq e ka cilësuar vendimin e saj si “një budallallëk”, duke kundërshtuar arsyetimin e Kos për anulimin e vizitës. Komisionerja evropiane kishte deklaruar se vendimi lidhet me glorifikimin në Serbi të Ratko Mlladiqit, i dënuar nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Gjatë një prononcimi për gazetarët, Vuçiq tha se shpjegimi i dhënë nga Kos ishte i shkurtër dhe, sipas tij, i pabazuar. Ai vuri në pikëpyetje se kush po e glorifikon konkretisht Mlladiqin dhe kritikoi mënyrën se si Komisionerja Evropiane e ka trajtuar këtë çështje.
“Sa herë që ka diçka të keqe për të thënë për Serbinë, ajo gjithmonë është lajmëtarja dhe nismëtarja e një gjëje të tillë”, deklaroi Vuçiq, duke iu referuar Marta Kos.
Nga ana tjetër, Kos e ka bërë të qartë se glorifikimi i Mlladiqit bie ndesh me parimet e Bashkimit Evropian. Në një reagim në rrjetin social X, ajo theksoi se rruga drejt anëtarësimit në BE kërkon përballje me të kaluarën, pajtim dhe respekt për viktimat e krimeve të luftës.
Sipas saj, kthimi i eshtrave të Mlladiqit në Beograd dhe nderimet që e kanë shoqëruar këtë ngjarje kanë rikthyer vëmendjen te një prej periudhave më të errëta të historisë së afërt të Evropës.
Kos deklaroi se vlerat e Bashkimit Evropian nuk mund të jenë subjekt negociatash dhe, pikërisht në këtë kontekst, vendosi të mos e realizojë për momentin vizitën e planifikuar në Serbi.
Përplasja mes saj dhe presidentit serb vjen në një periudhë të ndjeshme për marrëdhëniet e Serbisë me Bashkimin Evropian, ndërsa çështja e përballjes me krimet e luftës dhe respektimit të viktimave vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e procesit të integrimit evropian.







