Qyteti i Deçanit është përfshirë nga paniku mbrëmë pas mesnate, pasi janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, nga të cilat kanë mbetur të plagosur tre persona.
Sipas informatave të siguruara nga burime në terren, dy nga të lënduarit janë të nacionalitetit serb, ndërsa një është shqiptar. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur brenda një lokali, ku situata ka eskaluar në përdorim të armës së zjarrit.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë e Policisë së Kosovës dhe ekipet emergjente, të cilat u kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurve dhe i kanë dërguar për trajtim mjekësor.
Policia ka konfirmuar se një person i dyshuar, shtetas shqiptar, është arrestuar nën dyshimin se ka shtënë me armë zjarri. Gjatë aksionit policor është konfiskuar edhe arma që dyshohet të jetë përdorur në incident.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar dhe ndaj tij janë iniciuar procedura për veprat penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “lëndim i rëndë trupor”.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar motivin dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje. raporton/Sinjali



