Procesi i rinumërimit ka zbardhur raste serioze të manipulimit të votave brenda llojit, veçanërisht në Qendrat Komunale të Numërimit, me devijime të theksuara në disa komuna të vendit.
Sipas të dhënave të deritanishme, shkeljet më të mëdha janë evidentuar në Prizren, ku rinumërimi i rreth gjysmës së kutive ka treguar mospërputhje të mëdha në votat e Partisë Demokratike. Nga 7,550 vota të rinumëruara për këtë parti, 3,369 rezultojnë se i janë atribuuar gabimisht kandidatit Fetah Paçarizi.
Edhe kandidatë të tjerë të PDK-së kanë përfituar padrejtësisht nga devijimet gjatë numërimit fillestar. Deputetit Nait Hasani i janë shtuar 1,742 vota, Kujtim Gashit 1,208, Arianit Çollakut 1,196, Luljeta Veselaj Gutajt 1,026, Enver Hoxhajt 750, Fadil Demakut 705 dhe Xhavit Halitit 558 vota më shumë sesa rezultojnë nga rinumërimi.
Pas PDK-së, mospërputhje të mëdha janë evidentuar edhe te kandidatët e Lidhjes Demokratike. Nga 3,077 vota të rinumëruara për këtë parti, kandidati Xhavit Uka rezulton të ketë përfituar 741 vota më shumë, ndërsa Driton Selmanaj 552 vota mbi rezultatin real.
Rinumërimi ka përfshirë edhe votat e Lëvizjes Vetëvendosje. Nga 15,474 vota të rinumëruara, devijimi më i madh është vërejtur te kandidatja Dafina Alishani me 269 vota të shtuara gabimisht, e ndjekur nga Arbër Rexhaj me 252 vota më shumë.
Procesi ka nxjerrë në pah edhe kandidatët që kanë humbur vota për shkak të parregullsive. Në nivel vendi, 19 nga 20 kandidatët më të dëmtuar nga vjedhja brenda llojit janë nga Partia Demokratike, ndërsa i 20-ti është Paris Guri nga Lidhja Demokratike.
Sipas të dhënave, viktima më e madhe është nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, të cilit i mungojnë 435 vota krahasuar me rezultatin real. Pas tij renditen Arian Tahiri, Përparim Gruda, Vlora Çitaku dhe Mërgim Lushtaku.
Rinumërimi i deritanishëm tregon se në partitë e tjera, kandidatëve të dëmtuar nuk u janë hequr më shumë se 100 vota, duke e përqendruar theksin e parregullsive kryesisht në dy subjektet më të mëdha opozitare.



