Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi dhe prokurori special, Naim Abazi, me ftesë të institucioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë nisur vizitën zyrtare në Washington.
Isufaj, Istrefi dhe Abazai do të marrin pjesë në aktivitete zyrtare dhe do të zhvillojnë takime të rëndësishme në ShBA, transmeton Klankosova.tv
“Gjatë qëndrimit të tyre në SHBA, do të marrin pjesë në ceremonitë e organizuara me rastin e Lutjeve të Mëngjesit (National Prayer Breakfast), një ngjarje tradicionale me karakter institucional dhe ndërkombëtar, e cila mbledh përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore nga vende të ndryshme.”
Po ashtu, pritet të zhvillohen edhe takime me zyrtarë të lartë amerikanë, për bashkëpunimin, partneritetin, si dhe forcimin e sundimit të ligjit.
“Në kuadër të kësaj vizite zyrtare, përfaqësuesit e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës do të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë amerikanë, ku pritet të diskutohen mundësitë për avancimin e bashkëpunimit profesional dhe krijimin e partneriteteve ndërshtetërore, në funksion të rritjes së efikasitetit në ushtrimin e detyrave dhe kompetencave përkatëse, si dhe forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.”


