Home > Uncategorized > Gjysmë milioni euro në lojë, familja Tusha e Komuna e Kaçanikut nuk lëshojnë pe për tokën (VIDEO)

Gjysmë milioni euro në lojë, familja Tusha e Komuna e Kaçanikut nuk lëshojnë pe për tokën (VIDEO)

///
Comments are Off

Familja Tusha nga Kaçaniku që 40 vjet po “lufton” për të marrë oborrin e shtëpisë, i cili iu shpronësua në vitin 2986, por që sipas familjes, Komuna e Kaçanikut nuk e kompensoi kurrë.

Në vitin 1986, Kuvendi i atëhershëm Komunal i Kaçanikut e shpalli pronën e Sherif Tushës me interes të përgjithshëm shoqëror dhe për shpronësim i ndau ndërmarrjes publike BVI 2.3 milionë dinarë, shumë që sot do të ishte rreth 19 mijë euro. Por kjo vlerë nuk ia mbushi mendjen Tushës, i cili refuzoi këtë ofertë të komunës  dhe kërkoi që prona t’i kompensohej me një parcelë tjetër, duke propozuar dy lokacione që i përshtateshin.

Kërkesa e tij u refuzua nga ky institucion dhe oborri i shtëpisë së tij kaloi në menaxhim të BVI-së. Komuna e Kaçanikut ia refuzoi atij edhe kërkesën për shfuqizim të vendimit që ia shpronësoi oborrin e shtëpisë.

Prandaj, të mbetur pa pronë e pa asnjë kacidhe për të, familja Tusha në vitin 2007 nisën “betejën” gjyqësore me këtë komunë. Atë vit, kjo familje e paditi komunën duke kërkuar vërtetim të pronës për njërën pjesë dhe kompensim në emër të ekspropriimit për pjesën tjetër.

E që nga ai vit deri sot, Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit morën disa aktgjykime në favor të familjes Tusha, duke njohur pronësinë për 3.67 ari dhe të drejtën e kompensimit për 5.87 ari.

Pas rigjykimeve dhe ekspertizave, vlera e pronës u përcaktua në rreth 293 mijë euro, ndërsa me kamatë dhe shpenzime shuma totale arriti në 512 mijë euro, të cilat Komuna e Kaçanikut i pagoi përmes përmbarimit.

Mirëpo, disa muaj pasi që familja Tusha u kompensua për pronën në qendër të qytetit, Komuna e Kaçanikut dërgoi në Gjykatën Supreme kërkesën për revision dhe për herë të parë në gjithë këtë proces gjyqësor paraqiti pretendimin për parashkrim të rastit.

Më 24 dhjetor 2020, Gjykata Supreme e Kosovës vendosi në favor të Komunës, duke konstatuar se lënda është parashkruar, vendim që e ktheu procesin gjyqësor në pikën zero.

Pas këtij aktgjykimi, Komuna e Kaçanikut ka iniciuar procedurë kundër-përmbarimore, duke kërkuar nga familja Tusha kthimin e mbi 512 mijë eurove në buxhetin komunal, si dhe ka kërkuar vendosjen e masave të sigurisë për ngrirjen e pasurisë së kësaj familjeje.

Drejtori për Gjeodezi dhe Kadastër në Kaçanik, Korab Krasniqi, ka deklaruar se Komuna vepron në bazë të aktgjykimeve të gjykatave dhe se do të respektojë çdo vendim të ri që mund të nxirret, duke shtuar se aktualisht nuk ka dëshmi se familja Tusha ka pranuar kompensimin e ndarë në vitin 1986.

Nga ana tjetër, familja Tusha dhe avokati i saj, Fitim Shabani, e konsiderojnë vendimin e Gjykatës Supreme si shkelje ligjore dhe kushtetuese. Sipas tyre, çështja e parashkrimit nuk është dashur të trajtohej në shkallën e tretë, pasi nuk ishte ngritur në dy instancat e mëparshme. Ata pretendojnë se është shkelur e drejta e pronës e garantuar me Kushtetutë, sipas të cilës, askujt nuk mund t’i merret prona pa kompensim të menjëhershëm dhe adekuat.

Aktualisht, familja Tusha ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme, ndërsa proceset gjyqësore mes palëve vazhdojnë.

Familja shprehet e vendosur të mos heqë dorë nga kërkimi i së drejtës për pronën e saj, ndërsa Komuna e Kaçanikut insiston se po vepron në përputhje me vendimet e gjyqësorit.

Verified by MonsterInsights