I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka deklaruar se dialogu i Brukselit nuk ka vdekur dhe se procesi vazhdon, pavarësisht vështirësive politike mes dy palëve.
Në një intervistë për gazetën serbe “Danas”, Sorensen ka thënë se dialogu ka prodhuar rezultate konkrete, duke veçuar përparimin e fundit në çështjen e personave të pagjetur dhe disa marrëveshje praktike që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Megjithatë, përfaqësuesi i BE-së ka vlerësuar se zbatimi i Marrëveshjes së vitit 2023 dhe Aneksit të Ohrit mbetet i pamjaftueshëm. Sipas tij, të dyja palët duhet të përshpejtojnë përmbushjen e obligimeve që kanë marrë.
Sorensen ka theksuar se nuk ka alternativë ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka bërë thirrje që obligimet e dakorduara të zbatohen pavarësisht zhvillimeve politike dhe zgjedhore në të dyja vendet.
Duke folur për krizën institucionale në Kosovë, Sorensen ka shmangur komentimin e politikës së brendshme, por ka nënvizuar se institucionet funksionale janë të rëndësishme për marrjen e vendimeve dhe zbatimin e marrëveshjeve.
Sipas tij, obligimet e marra në kuadër të dialogut mbeten të vlefshme edhe gjatë cikleve zgjedhore apo ndryshimeve politike.
Një tjetër çështje e përmendur nga Sorensen është ajo e vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë. Ai ka thënë se kërkesa për nisjen e negociatave për këtë çështje nuk është e re dhe se bëhet fjalë për një obligim të përfshirë në Aneksin e zbatimit të dakorduar në Ohër në vitin 2023.
Ai ka përsëritur se Bashkimi Evropian pret zbatimin e plotë të marrëveshjes së vitit 2023 dhe aneksit të saj nga të dyja palët.
Sorensen ka folur edhe për sistemin e drejtësisë në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e një sistemi gjyqësor që pasqyron karakterin multietnik të vendit. Ai ka thënë se BE-ja ka mirëpritur tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës serbë.
Sa i përket rolit të Shteteve të Bashkuara, Sorensen ka theksuar se dialogu udhëhiqet dhe ndërmjetësohet nga BE-ja, ndërsa SHBA-ja mbetet një partner i rëndësishëm në proces.
Ai ka insistuar se përgjegjësia përfundimtare për zbatimin e marrëveshjeve u takon Kosovës dhe Serbisë.
Në fund, Sorensen ka përsëritur qëndrimin e BE-së se Marrëveshja e vitit 2023 dhe Aneksi i Ohrit janë obligues për të dyja palët dhe pjesë e rrugës së tyre evropiane.







