Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Prizren, të dyshuar për përfshirje në veprën penale të fajdesë. Operacioni është zhvilluar në disa lokacione, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.
Sipas Policisë, të dyshuarit dyshohet se përmes fajdesë kanë ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj një viktime, me qëllim përfitimin e interesit dhe dëmtimin e pasurisë së saj.
Gjatë aksionit janë kontrolluar tri lokacione në komunën e Prizrenit, ku janë sekuestruar prova materiale që do të përdoren në procedurën penale.
Në mesin e të arrestuarve janë Fadil Selimi, Beqir Selimi dhe Arsim Dogani. Ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Njëri prej të dyshuarve, Beqir Selimi, dyshohet edhe për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe aksident trafiku me lëndime. Sipas Policisë, gjatë tentimit për t’iu shmangur arrestimit, ai dyshohet se me veturë ka goditur një zyrtar policor dhe një 17-vjeçare, duke i shkaktuar lëndime.
Ndërkohë, autoritetet kanë publikuar edhe pamje nga aksioni dhe arrestimi i të dyshuarve në Prizren.
Hetimet për rastin po vazhdojnë, ndërsa të arrestuarit do të përballen me procedurat e mëtejshme ligjore.
Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.






