Greqia po përballet me një valë të fortë të të nxehtit, me temperaturat që gjatë fundjavës dhe ditëve në vijim pritet të arrijnë deri në 42°C në disa zona.
Sipas të dhënave të Observatorit Kombëtar të Athinës, temperaturat maksimale në shumë rajone do të luhaten nga 38 deri në 40°C, ndërsa lokalisht mund të prekin 41–42°C.
Meteorologët paralajmërojnë se vala e të nxehtit pritet të zgjasë deri në mesin e javës së ardhshme. Masat ajrore mbi Greqi janë rreth 6–8°C më të ngrohta se vlerat normale për këtë periudhë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe turistëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë orëve me temperatura më të larta, veçanërisht në zonat e ekspozuara ndaj diellit.






