Deputetëve të Kuvendit të Kosovës u janë ekzekutuar pagat, ndërsa situata e krijuar në institucionin ligjvënës ka nxitur reagime dhe kritika për funksionimin e tij.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka reaguar pas pranimit të pagave, duke kritikuar numrin e ulët të seancave të zhvilluara deri më tani.
Sadiku ka deklaruar se ka marrë pagën si deputet, duke theksuar se për të kjo është paga e katërt që ka përfituar nga Kuvendi, pasi sipas tij nuk ka marrë pagesat kalimtare.
Ai ka thënë se marrja e një page prej rreth 1,500 eurosh, ndërkohë që Kuvendi ka zhvilluar vetëm dy seanca, paraqet një situatë shqetësuese.
“1,500 euro rrogë me dy seanca të çuditshme, është për besë keq”, ka shkruar Sadiku në një reagim të publikuar në rrjetet sociale.
Deputeti ka kërkuar që Kuvendi të funksionalizohet dhe të vazhdojë punën me seanca, komisione parlamentare dhe shqyrtim të çështjeve që presin trajtim.
Ai gjithashtu i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të mundësojë vazhdimin e punës së Kuvendit dhe tejkalimin e bllokadave politike.







