Home > Uncategorized > Vuçiq “vajton” para vendimit në Hagë: Pretendon se përmes kanaleve të inteligjencës ka mësuar se Thaçi mund të shpallet i pafajshëm

Vuçiq “vajton” para vendimit në Hagë: Pretendon se përmes kanaleve të inteligjencës ka mësuar se Thaçi mund të shpallet i pafajshëm

///
Comments are Off

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se, sipas informacioneve që pretendon se i ka marrë përmes shërbimeve të inteligjencës, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mund të shpallet i pafajshëm për pjesën kryesore të akuzave në rastin që po gjykohet në Hagë.

Vuçiq ka pretenduar se vendimi i Gjykatës Speciale ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të jetë kryesisht lirues, duke thënë se mund të ketë një dënim që do të mbulonte vetëm kohën e kaluar në paraburgim.

Sipas tij, për akuzat më të rënda që lidhen me pretendimet për krime ndaj serbëve, Thaçi mund të shpallet i pafajshëm.

Gjykata Speciale pritet të shpallë më 16 shtator vendimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka zgjatur rreth tre vjet, ndërsa Prokuroria ka kërkuar dënime të gjata me burgim për të akuzuarit.

Vuçiq ka lidhur pretendimet e tij edhe me mënyrën se si, sipas tij, janë trajtuar rastet e krimeve të luftës në ish-Jugosllavi. Ai ka përmendur vendime të mëparshme të gjykatave ndërkombëtare dhe ka pretenduar se Perëndimi dëshiron të krijojë një narrativë ku Serbia paraqitet si përgjegjëse kryesore për krimet e luftërave në rajon.

Megjithatë, pretendimet e Vuçiqit për një vendim të mundshëm të Gjykatës Speciale nuk janë konfirmuar nga institucioni gjyqësor dhe mbeten deklarata të presidentit serb.

Ndërkohë, ndaj Thaçit po zhvillohet edhe një proces tjetër në Hagë, lidhur me akuzat për pengim të drejtësisë. Për këtë arsye, edhe nëse ai shpallet i pafajshëm në rastin kryesor, lirimi i menjëhershëm nuk është automatikisht i garantuar.

Verified by MonsterInsights