Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka deklaruar shpenzime prej 62 mijë e 675 eurosh gjatë periudhës korrik-shtator 2026, ndërsa në të njëjtën periudhë ka raportuar vetëm një donacion në vlerë prej 500 eurosh.
Këto të dhëna janë publikuar në raportin financiar të tremujorit të tretë të vitit 2026, të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas raportit, pjesa më e madhe e shpenzimeve të AAK-së ka shkuar për paga dhe kontribute të punonjësve, me gjithsej 36 mijë e 188 euro.
Për shërbime të telekomunikimit, përfshirë shpenzimet e evidentuara për internet dhe Facebook, partia ka raportuar 2 mijë e 451 euro.
Ndërkohë, për blerjen e mallrave dhe shërbimeve të tjera janë shpenzuar 1 mijë e 538 euro, ndërsa shpenzimet për energji elektrike kanë arritur në rreth 482 euro.
Një pjesë tjetër e konsiderueshme e mjeteve, në vlerë prej 22 mijë e 15 eurosh, është paraqitur në kategorinë e shpenzimeve të tjera, ku përfshihen edhe 16 mijë e 937 euro për pagesën e obligimeve të fushatës zgjedhore të vitit 2026.
Raporti tregon se shpenzimet më të larta janë realizuar gjatë muajit korrik, me 53 mijë e 364 euro, ndërsa në gusht janë shpenzuar 9 mijë e 158 euro dhe në shtator vetëm 152 euro.
Sa u përket donacioneve, AAK ka deklaruar vetëm një kontribuues për këtë periudhë.
Bëhet fjalë për Smajl Latifin nga Rahoveci, i cili më 30 shtator 2026 ka dhuruar 500 euro përmes bankës.
Sipas dokumentit zyrtar, nuk figuron ndonjë donacion tjetër i deklaruar gjatë këtyre tre muajve.
Buxheti i paraqitur nga AAK për tremujorin e tretë ishte 63 mijë e 746 euro, ndërsa pas shpenzimeve të raportuara diferenca rezulton të jetë 1 mijë e 71 euro.
Donacioni prej 500 eurosh përfaqëson vetëm kontributin e deklaruar nga donatorët dhe nuk duhet ngatërruar me të hyrat apo burimet e përgjithshme të financimit të partisë.
Raportet tremujore të partive politike publikohen në kuadër të detyrimeve për transparencë financiare dhe u mundësojnë qytetarëve të shohin mënyrën se si subjektet politike i deklarojnë shpenzimet dhe kontributet e pranuara.






