Një qytetare që po protestonte para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës ka reaguar ashpër ndaj ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pasi të dy deklaruan se nuk e konsiderojnë dorëheqjen si kontribut në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.

E revoltuar nga qëndrimi i ministrave, ajo u është drejtuar atyre me kritika të ashpra, duke kërkuar përgjegjësi për vrasjen e 49-vjeçares nga Vitomirica e Pejës.

“Qysh s’ju vjen turp, a keni pasë gjak shqiptari. Ju sot as dhimbjen nuk e respektoni, jeni t’u bo hajgare me neve. Po na shkojnë vajzat tona, po na shkon rinia? Turpi s’paska kufij a?”, ka deklaruar protestuesja.

Reagimi i saj erdhi pas konferencës së përbashkët për media të Gërvallës dhe Sveçlës, të mbajtur të premten, më 30 tetor, në ndërtesën e Qeverisë, ku dy ministrat prezantuan gjetjet nga raportet për trajtimin institucional të rastit të Arlinda Zekajt.

Gjatë konferencës, të dy ministrat deklaruan se nuk e shohin dorëheqjen si një veprim që do të kontribuonte në fuqizimin e grave dhe adresimin e problemeve institucionale.

Ndërkohë, qytetarët dhe aktivistët kanë vazhduar protestat në Prishtinë, duke kërkuar dorëheqjen e dy ministrave, hetimin e përgjegjësive institucionale dhe drejtësi për Arlindën.

Vrasja e saj, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ka nxitur reagime të shumta, pasi institucionet kishin marrë paraprakisht njoftime për dhunën dhe rrezikun me të cilin ajo përballej.