Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja politike e arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës vazhdon të jetë në fuqi, pavarësisht zhvillimeve të fundit brenda LDK-së.
Kurti ka bërë të ditur se do të zhvillojë takime të tjera me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, për të diskutuar situatën e krijuar pas kundërshtimit të gjashtë deputetëve të kësaj partie ndaj kandidaturës së Bekim Sejdiut për president.
“Për neve marrëveshja politike është valide”, ka deklaruar Kurti, duke theksuar se çështja do të trajtohet në takimet e ardhshme mes dy liderëve.
Ai ka treguar se një takim me Abdixhikun nuk është zhvilluar gjatë mëngjesit, pasi ishte nisur drejt Vitisë, por nuk e ka përjashtuar që një takim i tillë të mbahet më vonë.
Sipas Kurtit, zhvillimet e reja kërkojnë që ai të rikthehet te bisedimet me Abdixhikun dhe më pas të konsultohet edhe me Kryesinë e Vetëvendosjes për hapat që duhet të ndërmerren.
Kjo situatë u krijua pasi gjashtë deputetë të LDK-së, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri, deklaruan se nuk do ta mbështesin Bekim Sejdiun për president.
Pavarësisht kësaj, Kryesia e LDK-së e kishte miratuar marrëveshjen me Vetëvendosjen dhe kishte bërë thirrje që grupi parlamentar ta mbështesë kandidaturën e Sejdiut.
Kurti e ka cilësuar si të papërgjegjshëm dhe të dëmshëm qëndrimin e gjashtë deputetëve, duke paralajmëruar se një dështim për të gjetur zgjidhje mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja. Ai ka thënë se pas tri palë zgjedhjeve, Kosova nuk duhet të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme, të cilat sipas tij do të ishin të dëmshme për stabilitetin institucional dhe buxhetin e shtetit.
Tashmë mbetet të shihet nëse takimet e reja mes Kurtit dhe Abdixhikut do të sjellin një zgjidhje për çështjen e presidentit apo nëse kriza institucionale do të thellohet edhe më tej.






