Detaje të reja janë zbardhur nga dosja e Prokurorisë Themelore në Pejë lidhur me kërcënimet që Arlinda Zekaj kishte raportuar ndaj ish-bashkëshortit të saj, Jeton Sylaj, disa muaj përpara se të vritej në Vitomiricë.
Sipas procesverbalit të marrjes në pyetje, më 23 korrik 2026, Sylaj kishte pranuar para prokurorit se i kishte drejtuar fjalë kërcënuese Arlindës, por ishte arsyetuar duke pretenduar se kishte vepruar për shkak të shqetësimeve lidhur me djalin e tyre 12-vjeçar.
Në deklaratën e tij, Jeton Sylaj ka pranuar se i kishte thënë ish-bashkëshortes fjalët “kom me të mbyt, kom me të ngre zhag”, ndërsa kishte pretenduar se djali ndihej i rrezikuar nga nëna.
“Unë e pranoj që kam kryer kanosje, e kam bërë vetëm për shkak të djalit tim”, thuhet në deklaratën e tij të dhënë para prokurorit.
Rasti ishte iniciuar më 10 korrik, kur Arlinda kishte denoncuar ish-bashkëshortin për dhunë në familje dhe kërcënime. Katër ditë më vonë, më 14 korrik, Sylaj ishte intervistuar në Polici, por kishte zgjedhur të mbrohej në heshtje, duke deklaruar se qëndrimin e tij do ta paraqiste para Prokurorisë.
Gjatë dëshmisë së 23 korrikut, ai kishte folur edhe për marrëdhëniet me Arlindën, duke pretenduar se ishin ndarë rreth një vit më parë, megjithëse nuk ishin divorcuar ligjërisht.
Sylaj kishte ngritur edhe pretendime të tjera ndaj ish-bashkëshortes, përfshirë mosmarrëveshjet për dokumentet personale dhe çështjet financiare. Këto pretendime mbeten deklarime të tij dhe nuk përbëjnë fakte të vërtetuara.
Në dosjen hetimore përfshihen edhe video-incizime, raporte policore dhe dokumente të tjera që kanë shërbyer si prova gjatë trajtimit të rastit.
Sipas dokumenteve të publikuara, më 23 korrik ishte intervistuar edhe djali i mitur i çiftit, në prani të përfaqësuesve të institucioneve përkatëse dhe psikologes.
Pas shqyrtimit të pretendimeve të paraqitura në emër të fëmijës, prokurori kujdestar kishte vlerësuar se nuk kishte elemente të veprës penale nga ana e nënës.
Mbi bazën e provave të mbledhura, Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur aktakuzë ndaj Jeton Sylajt më 23 tetor 2026, për veprën penale “Kanosja” në kuadër të marrëdhënies familjare.
Gjykata Themelore në Pejë ka konfirmuar se aktakuza është pranuar përmes sistemit elektronik më 26 tetor, në orën 08:56, një ditë pas vrasjes së Arlindës.
Ndërkohë, më 16 tetor, Gjykata kishte lëshuar urdhër mbrojtjeje gjashtëmujor për viktimën, pasi ajo kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet kompetente.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen dyshohet Albert Sylaj, vëllai i Jeton Sylajt, i cili është shpallur në kërkim nga Policia.
Jeton Sylaj përballet me procedura penale për kanosjen dhe dyshimet për mosrespektimin e urdhrit gjyqësor, ndërsa nuk është identifikuar si i dyshuari për kryerjen e vrasjes.
Pavarësisht pranimit të fjalëve kërcënuese në deklaratën e tij, përgjegjësia penale e Sylajt mbetet për t’u përcaktuar nga gjykata.






