Mbetje mortore që dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë janë gjetur në Mitrovicën e Veriut, gjatë gërmimeve të zhvilluara në hapësirën e varrezave të qytetit.
Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, gërmimet janë realizuar të martën, më 27 tetor, në lokacionin e njohur si “Varrezat e besimtarëve myslimanë”, në kuadër të përpjekjeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Operacioni është zhvilluar nga ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, përfshirë ekspertët e EULEX-it, me mbështetjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës.
Gjatë gërmimeve janë zbuluar dhe zhvarrosur mbetje eshtërore me interes mjekoligjor, të cilat janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme.
Mbetjet do t’u nënshtrohen edhe analizave të ADN-së, me qëllim identifikimin e personave të cilëve mund t’u përkasin.
Gërmimet e 27 tetorit janë vazhdimësi e punimeve vlerësuese që kishin nisur më 20 tetor në të njëjtin lokacion.
Veprimet janë ndërmarrë në bazë të një urdhri gjyqësor, pas kërkesës së iniciuar nga Drejtoria e Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, përmes Prokurorisë, përkatësisht Departamentit për Krime Lufte.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani, ka bërë të ditur se rezultatet e ekzaminimeve mjekoligjore do të ndihmojnë në përcaktimin e identitetit të mbetjeve dhe në vlerësimin e nevojës për veprime të tjera në këtë lokacion.
Ai ka theksuar se zona mbetet me interes për hetime dhe verifikime të mëtejshme, në kuadër të përpjekjeve për të zbardhur fatin e personave të zhdukur gjatë luftës.
Gjetja e këtyre mbetjeve vjen pas zbulimit të tri varrezave masive në Zubin Potok gjatë këtij viti, ku u gjetën mbetjet mortore të të paktën 23 personave.
Sipas të dhënave të bëra publike më herët nga autoritetet, disa prej viktimave të identifikuara në Zubin Potok i përkasin grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, të zhdukur gjatë luftës në prill të vitit 1999.
Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ndonjë lidhje ndërmjet mbetjeve të zbuluara në Mitrovicën e Veriut dhe atyre të gjetura në Zubin Potok.
Identiteti dhe numri i personave të cilëve mund t’u përkasin mbetjet e fundit ende nuk janë përcaktuar.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka ritheksuar angazhimin për vazhdimin e kërkimeve dhe trajtimin me prioritet të informacioneve që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave që vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta në Kosovë.






