Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka deklaruar se marrëveshja politike e arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit vazhdon të jetë valide, pavarësisht kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së ndaj kandidaturës së Bekim Sejdiut.
Abrashi e ka cilësuar si të papritur qëndrimin e deputetëve kundër marrëveshjes, duke thënë se një zhvillim i tillë nuk është dashur të ndodhë në këtë fazë të procesit. Sipas tij, marrëveshja kishte marrë më herët edhe miratimin e strukturave drejtuese të të dyja partive.
Ai ka thënë se situata e krijuar pas refuzimit të gjashtë deputetëve rrezikon ta zgjasë krizën institucionale dhe ta shtyjë vendin drejt zgjedhjeve të reja, të cilat LVV-ja i konsideron të panevojshme.
“Për LVV-në ende është valide marrëveshja e arritur mes kryetarëve tanë”, ka deklaruar Abrashi, duke shtuar se tani nevojiten konsultime dhe përpjekje të reja për të gjetur një zgjidhje që do ta shmangte një proces të ri zgjedhor.
Sipas tij, një takim i ri mes kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, është i nevojshëm për të sqaruar situatën. Abrashi ka bërë të ditur se takimi ende nuk është caktuar zyrtarisht, por ekziston vullneti që ai të zhvillohet.
“Takimi është shumë i nevojshëm. Neve na mbetet të besojmë dhe të shpresojmë se bëhet një zgjidhje”, ka thënë Abrashi, duke pranuar se në këtë moment nuk është e qartë se cila mund të jetë zgjidhja përfundimtare.
Ndërkohë, Abrashi ka thënë se LVV-ja vazhdon kontaktet me deputetë të partive të tjera për të siguruar mbështetje për zgjedhjen e presidentit. Ai ka theksuar se këto kontakte zhvillohen vazhdimisht, edhe pse situata politike mbetet e ndërlikuar.
Kriza u thellua pasi gjashtë deputetë të LDK-së, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Kujtim Shala, deklaruan se nuk do ta mbështesin Bekim Sejdiun për president. Me këtë zhvillim, marrëveshja mes Kurtit dhe Abdixhikut për zgjedhjen e presidentit mbeti pa mbështetjen e plotë të grupit parlamentar të LDK-së.
Edhe Albin Kurti ka deklaruar se për LVV-në marrëveshja politike me LDK-në vazhdon të jetë valide dhe ka paralajmëruar takime të reja për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar.






